“The Sunday Times” shkruan për gjyqin ndaj krerëve të UÇK-së: Po kërcënohet suksesi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

Në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshe nga një pjesë në Kosovë, besojnë se gjykimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të rishkruajë historinë e luftës së fundit.

Duke parë pretendimet e Prokurorisë së Specializuar, gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” dhe ajo amerikane “New York Times”, para pak ditësh thanë se është e qartë se gjykimi ka të bëjë me rishkrimin e historisë.

Edhe e përjavëshmja britanike “The Sunday Times“, i ka kushtuar së fundi një artikull fillimit të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët kanë nisur betejën e tyre të fundit me drejtësinë në Hagë të Holandës.

Më saktësisht, artikulli i dedikohet ish-eprorit politik të UÇK-së dhe presidentit Hashim Thaçi, i cili ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ngase ai bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Artikulli fillon me faktin se intervenimi i NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999 ishte definuar si përgjigje kundrejt krimeve serbe të luftës dhe mizorive ndaj popullit shqiptar të Kosovës, që ridefinoi ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit si ndërhyrje në baza humanitare.

Aty përmendet se si ish-udhëheqësit britanikë dhe amerikanë – Tony Blair dhe Bill Clinton – nderohen si heronjë në Prishtinë, me statujën e bronztë të Clinton-it në “Bulevardin Bill Clinton” dhe me pagëzimin e fëmijëve kosovarë me emrin “Tonibler” apo thjeshtë Toni.

“Në një shtet të vogël ku Blair dhe Clinton janë idhuj, historia e suksesit të NATO-s po kërcënon të bëhet shumë e thartë”, shkruan “The Sunday Times” në artikullin që mbanë titullin: “Ata janë heronjtë kombëtarë të Kosovës – tani ata akuzohen për krime lufte”.

Për këtë artikull ka kontribuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë për “The Sunday Times”, tha se populli i Kosovës nuk do ta harrojë kurrë rolin e Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin e Kosovës dhe intervenimin e NATO-s.

“Ne kurrë nuk do ta harrojmë rolin e veçantë që kishte Mbretëria e Bashkuar në ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb”, tha Kurti, duke shtuar se ai shpreson që ish-kryeministri britanik të vinte në Kosovë për të festur “Ditën e Çlirimit”.

Ai në këtë intervistë tha se kurrë nuk e kishte mbështetur Gjykatën Speciale, e cila funksionon sipas ligjit të Kosovës, por me seli në Hagë. Ai ndër të tjera shprehu shqetësimin se procesi gjyqësor mund ta ndihmojë Serbinë të “rishkruajë historinë”.

“Unë mbështes llogaridhënien për luftën. Megjithatë, më duket e padrejtë që në qendër të vëmendjes po vihet Kosova, ndërkohë që Serbia jo vetëm që ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për krimet e saj, por edhe i mohon ato”, shtoi kryeministri, përcjell AlbanianPost.

Kurti është i bindur se Kremlini ka parë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor një “front të dytë” të mundshëm kundër NATO-s pas pushtimit të Ukrainës, prandaj edhe argumentoi se “Kosova është një histori suksesi i NATO-s, rusët duan që ajo të dështojë”.

Prestigjiozja britanike kujton se forcat serbe ishin përgjegjëse për shumicën dërrmuese të mizorive në Kosovë dhe ndërsa disa u gjykuan në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, shumica e atyre që ishin përgjegjës për spastrimin etnik, përdhunimet dhe krimet e tjera në Kosovë nuk janë dënuar kurrë.