“Tortë e kafe me ministra dhe deputetë”: A po e “udhëheq” Dejona Mihali në prapavijë Qeverinë dhe VV-në?

Vitin e kaluar, Dejona Mihali ishte figurë gati e panjohur dhe goxha enigmatike. Për shkak raportimeve të Nacionales dhe posaçërisht deklaratës publike të deputetit të “revoltuar”, Haki Abazi, Mihali është bërë tashmë e njohur.

E me “reflektorët” e medies mbi kokë, ajo ka nisur të jetë më prezente në jetën publike në Kosovë, duke i “përcjellur” ministrat, deputetët e madje edhe kryeministrin Albin Kurti në vizita zyrtare. Kafe dhe torte me deputetë e ministra, “spastrime” nga VV-ja dhe hartime të projektligjeve për Qeverinë Kurti janë vetëm disa nga aktivitetet e Mihalit.

Ani pse sot është festa e Kurban Bajramit, Mihali, që është koordinatoret e Komiteteve në LVV, është parë me dy figura mbi-mesatarisht qëndrore të kësaj partie. E fuqishmja Mihali është parë në një kafene me Hekuran Muratin, ministër i Financave në Qeverinë Kurti, dhe Armend Mujën, deputet i VV-së në Kuvend.

Në fotografinë e publikuar nga Paparaci, deputeti Muja duket fytyrngrysur, teksa Murati duket se i shpjegon dicka Mihalit, e cila duket se e dëgjon me vëmendje.

Mihali kohëve të fundit i ka shpeshtuar daljet publike me njerëz të pushtetit, por jo edhe në media, pasi ajo vazhdon të mos deklarohet e as të mos shfaqet në televizionet kosovare. Mihali u shfaq befasisht në një fotografi të deputetes së partisë “Guxo”, Jeta Statovci, ku prezent ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Mimoza Kusari, shefja e grupit parlamentar të VV-së.

Përtej fotografisë, mbishkrimi i saj ishte një mesazh për Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë, pasi ai kishte dorëzuar një draft-statut të Asociacionit në selitë e ShBA-së, Gjermanisë dhe Francës.

“Duke draftuar…” – ishte gjysmë-fjalia e shkruar nga Statovci, me gjasë e konfirmuar paraprakisht nga e fuqishmja Mihali.

Vizitat “shtetërore”

Ndonëse s’ka asnjë pozicion zyrtar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga Kurti, Mihali është parë së paku në dy delegacione shtetërore. 3 muaj më prë, zonja Mihali ishte parë në delegacionin qeveritar, të udhëhequr nga Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri. Siç shihej në fotografitë e publikuara, Mihali, që është aktiviste e VV-së nga Shqipëria, u “përcolli” Kurtin gjatë takimit me Lindita Nikollën, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Edhe pse nuk ka ndonjë funksion zyrtar në MPB, zonja Mihali u pa në brendi të stacionit policior në veri, ku bashkë me Bislimin e Sveçlën ngrënën fli për nder të festës së 28 Nëntorit.

Grupi i Tiranës / “Vlerë e shtuar”: Si e mbrojti Albin Kurti dy herë Dejona Mihalin, aktivisten e fuqishme të VV-së?

“Me fli të përgatitur nga një nënë nga Llapi e një vajzë nga Istogu, u bashkuam rreth sofrës për të festuar bashkë festën e 28 Nëntorit me zyrtarë policor të cilët me vullnet, profesionalizëm e përkushtim po kryejnë detyrat e tyre në veri të vendit tonë.” – shkruante Sveçla, teksa Mihali shihej në dy foto.

Dora e fortë mbi projektligjet…

Muaj më parë, Nacionale ka raportuar në lidhje me ndikimin e Mihalit në dy ligje jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën. Më saktësisht, burimet e Nacionales informonin se Mihali mori pjesë në hartimin e dy projektligjeve që konsideroheshin problematike për administratën publike, Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Duke u bazuar në burimet e saj të sigurta, Nacionale shkruante se fjalën kryesore për hartimin e këtyre dy projektligjeve e kanë pasur Mihali dhe disa aktivistë të tjerë të LV-së.

Qeveria Kurti / Dejona Mihali e bën ligjin në Kosovë, nëpër duart e saj kaluan dy projektligjet problematike

Në procesin e hartimit të këtyre dy ligjeve, Nacionale raportonte, se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike i ka anashkaluar grupet punuese që ishin themeluar nga sekretarja e përhershme e kësaj ministrie, Fahrije Tërnava, për hartimin e këtyre ligjeve.

Zyrtarët që ishin bërë pjesë e këtyre grupeve nuk janë ftuar asnjëherë nga ministria për ta dhënë mendimin e tyre për këto çështje.

“Më kanë ftuar për të qenë pjesë grupit punues për hartimin e Projektligjit për Zyrtarët Publikë, por nuk jam ftuar kurrë që të marr pjesë në ndonjë punëtori. Kam dëgjuar se me hartimin e ligjit është marrë një grup i vogël”- thoshte një zyrtar i një ministrie në kushte anonimiteti.

Ndryshe, Mihali ishte akuzuar vitin e kaluar edhe për përjashtimin nga gara e brendshme në VV të aktivistëve me besim konservator , gjë e cila dërgoi në disa dorëheqje.