Arrestohet Drejtori i Infrastrukturës në Drenas, dyshohet se keqpërdori pozitën për interesa personale

Policia e Kosovës me njësitë relevante për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në rajonin e Prishtinës, me autorizim të Prokurorisë kompetente ka arrestuar drejtorin e Infrastrukturës në komunën e Drenasit, i dyshuari Idriz Hyseni.

Tutje thuhet se i njëjti për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

“Policia e Kosovës me njësitë relevante për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në rajonin e Prishtinës, me autorizim edhe të Prokurorisë kompetente, bazuar në informacionet e pranuara për keqpërdorime të mundshme në komunën e Drenasit, pas hetimeve disa mujore ka ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore dhe ka rezultuar se, i dyshuari me iniciale (I.H) drejtor i Infrastrukturës në komunën e Drenasit, për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, siguria e dëshmive,intervistimin e palëve dhe intervistimin e personit të dyshuar, Hyseni, i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit kompente është dërguar në mbajtje për 48 orë, për të vazhduar më pas me procedura të mëtejme.