Trajneri i Fenerbahçes: Me origjinë jam nga Kosova

Trajneri i Fenerbahçes, Ersun Yanal, ishte insistuesi kryesor për të sjellur sulmuesin Vedat Muriqi në Stamboll.

Yanal së fundi ka publikuar një sekret interesant.

57-vjeçari ka prejardhje nga Kosova, të cilën gjë e ka pohuar në një emision “Qejfi më i madh se Stambolli”.

“Pas shumë kohës, ju më kujtuat të parët e mi dhe u bëtë shkaktar që të shikojmë çka kanë bërë ata. Unë kam lindur në Izmir. Jam fëmija i tretë i një familje emigruese. Me origjinë jam nga Kosova”, ka pohuar strategu.

“Një ndër arsyet kryesore se pse e dua futbollin janë dy vëllezërit – Ajhan dhe Ajfer Elmatasoglu. Ata janë kushërinjtë e nënës sime nga Kosova. Te dy disa vjet e kanë veshur edhe fanellën e Kombëtares së Turqisë”, pohoi ai.

Kujtojmë se për Fenerin në të kaluarën ka luajtur edhe Fadil Vokrri gjersa aktualisht fanellën e skuadrës e vesh Vedat Muriqi. Gjithashtu në të kaluarën president i ekipit ishte edhe prizrenasi, Ali Hajdar Sen.

Ndryshe, 57-vjeçari ka përjetuar njëherë ndjenjën e të qenët kampion i Turqisë në vitin 2013-14.