“Trashet” nepotizmi, vajza e Shpejtim Bulliqit rehatohet në AKP

Derisa premtimi i kryeministrit Albin Kurti për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka ngecur si pasojë e mos-planifikimit të valës së re të shitjeve, agjencia ka vendosur në vend një plan për punësimin e familjarëve të njerëzve në pushtet.

Kësisoj, Egzonë Bulliqi, vajza e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është emëruar në pozitën e Ofruesit të Shërbimeve në zyrën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në Prishtinë.

Rekomandimin për emërimin e Egzonë Bulliqit në këtë pozitë është bërë nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civili të AKP-së dhe është miratuar edhe nga drejtori menaxhues i këtij institucioni, raporton Paparaci.

Sipas rezultateve të publikuara më 5 korrik nga AKP-ja, Egzonë Bulliqi ka marrë gjithsej 87 pikë duke u renditur kështu e dyta, në listën prej gjithsej 6 personave të rekomanduar.

Paparaci është përpjekur të vihet në kontakt me të parin e Llapit, Shpejtim Bulliqin, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon pasditen e së enjtes.

Krahas Egzonë Bulliqit, në këtë pozitë janë emëruar edhe Gentiana Krasniqi – Ajvazi, Laura Haxhiu, Adelina Maloku, Qendresa Januzi dhe Arjeta Mehmeti.

Rezultatet e Publikuara nga AKP-ja

Agjencia Kosovare e Privatizimit më 16 qershor të këtij viti kishte hapur konkurs për ofrues të shërbimeve në procesin e likuidimit në katër qytete të vendit. Atë të Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës dhe Prizrenit.

Sipas konkursit në zyrën e ofruesit të shërbimeve në Prishtinë kërkoheshin gjithsej tetë persona. Ndërkohë, që në rezultatet e publikuara nga AKP-ja vetëm gjashtë sosh kanë arritur të bëhen pjesë e listës së ngushtë.

Kriteret për punësim në këtë pozitë përfshinin diplomën e universitetit, si dhe një përvojë pune të paktën 2-vjeçare në detyra të njëjta apo relevante, shkruan Paparaci.

“Preferohet Diploma e Universitetit: Ekonomi, Juridik, Arkiv apo relevant; Diploma e shkollës së mesme e obligueshme. Minimumi 2 vite përvojë punë në detyra të njëjta apo relevante”, shkruhej ndër të tjera në konkursin e shpallur nga AKP-ja.

Egzonë Bulliqi dhe pesë të punësuarit e tjerë sipas konkursit për punë do të jenë pjesë e kësaj zyre për gjashtë muaj. Të njëjtit do të marrin 450 euro bruto nga buxheti i shtetit.

Paparaci ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit rreth punësimit të Egzonë Bulliqit në këtë pozitë dhe është në pritje të përgjigjeve së tyre.

Në nëntor të 2021-s, Paparaci kishte publikuar një hulumtim mbi punësimet në baza nepotiste, të realizuara nga menaxhmenti i AKP-së. Hulumtimi dëshmoi për lidhjet familjare të të punësuarve në AKP me ushtruesin e detyrës së drejtorit menaxhues, Avni Jashari.

Foto: Egzonë Bulliqi/ Instagram