Treni del nga shinat në Vjenë, një i vdekur dhe disa të plagosur

Të paktën një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur pasi dy vagona treni dolën nga shinat dhe u përmbysën pranë Vjenës.

Autoritetet thanë se aksidenti ndodhi dje rreth orës 18:00 në rrethin e Mödling, në jug të kryeqytetit austriak.

Një zëdhënës i Kryqit të Kuq tha për agjencinë e lajmeve APA se tre persona u plagosën rëndë dhe nëntë të tjerë u plagosën më lehtë, shkruan Euronews.

Punonjësit e shpëtimit dhe katër helikopterë të emergjencës ishin vendosur në vendngjarje, pranë fshatit Münchendorf.

Autoritetet thonë se 56 pasagjerë dhe një shofer po udhëtonin për në Vjenë kur treni doli nga shinat dhe një vagon u përplas në fushat ngjitur.

Nuk ka informacione të mëtejshme për shkakun e daljes nga shinat.

Vitin e kaluar, shtatëmbëdhjetë persona u plagosën pasi një tren rajonal që transportonte nxënës shkolle doli nga shinat në një lumë në Alpet austriake.