Trump ofron ndihmë për shërimin e kryeministrit të sëmurë britanik

Presidenti Donald Trump ofroi ndihmë për shërimin e kryeministrit britanik Boris Johnson, i cili të hënën u dërgua në kujdes intensiv me koronavirus.

Në konferencën për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Presidenti Trump tha se u kishte kërkuar disa prej kompanive kryesore që “të kontaktojnë menjëherë Londrën”.

“Do të shohim nëse mund të jemi në gjendje të ndihmojmë. Kemi kontaktuar me të gjithë mjekët e Borisit dhe do të shohim se ç’mund të bëhet, por ata janë të gatshëm të shkojnë,” tha Presidenti Trump.

Kryeministri britanik u transferua të hënën në kujdes intensiv pas rëndimit të simptomave të koronavirusit. 55 vjeçari Johnson u testua pozitivisht për virusin më 26 Mars.

Burime të ndryshme njoftuan se ai është i vetëdijshëm dhe zyrtarët konfirmuan se ai nuk ka nevojë për respirator.