Qemajl Mustafa flet për vendimin e Veselit që e shkarkojë nga kryetari i PDK-së në Gjilan

I zgjedhur vetëm pak javë më parë në krye të Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, por nga sot Qemajl Mustafa nuk do të jetë më në krye të saj. Kjo pasi shefi i tij i partisë, Kadri Veseli, ka marrë vendim për pezullimin e postit të kryetarit të degës në Gjilan, deri në përfundimin e procesit gjyqësor në të cilin gjendet Mustafa.

Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Qemajl Mustafa ka thënë se ai është njoftuar nga kryetari i partisë së është pezulluar si kryetar i degës deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Ai ka theksuar se e respekton vendimin e shefit të tij, madje e ka mirëpritur një vendim të tillë.

“Po, po plotësisht e respektojë, madje me erdhi jashtëzakonisht mirë, është vendim që është dashur të merret edhe larg më herët. Sepse po s’e nisëm ne ta pastrojmë partinë tonë së pari, oborrin tonë, qysh do t’ia dërgojmë mesazhin tonë shoqërisë së Kosovës se do t’ia nisim ta pastrojmë Kosovën, se po dëshirojmë të qeverisim dhe të pastrojmë Kosovën”, tha Mustafa për FaktePlus.

Mustafa thotë se kandidimi dhe kthimi i tij në Gjilan ka qenë për ta forcuar degën, pasi nuk ka pasur ambicie personale. Ai beson se do të kthehet sërish në krye të degës, meqë ndihet i pafajshëm.

“Po, nëse unë jam i pafajshëm dhe që e besojë plotësisht atëherë qoftë në këtë pozicion qoftë një tjetër, nuk është me rëndësi drejtën me të thënë, unë kam ardhur në këtë proces zgjedhor në Gjilan për ta ribashkuar degën dhe për ta forcuar për ndryshe ambicie personale nuk kam pasur”, theksoi Mustafa.

Fatin e Mustafës e kanë pasur edhe kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj Sami Lushtaku, e Sokol Bashota i Klinës.