Trump për rikthimin e fëmijëve në shkolla: Nxënësit infektohen më pak, nuk e përhapin lehtë virusin

Presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se do ta pranonte vendimin që fëmijët gjatë vjeshtës t’i kthehen bankave shkollore, përfshirë edhe djalin dhe nipat e tij, sepse siç pretendon ai, fëmijët nuk preken dhe as që e përhapin lehtë coronavirusin, shkruan CNN.

Duke iu përgjigjes pyetjes së gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë nëse administrata e tij planifikon zhvillimin e strategjisë kombëtare për rikthimin e fëmijëve nëpër shkolla gjatë vjeshtës, Trump tha se e kanë një strategji kombëtare, transmeton Telegrafi.

“Siç e dini, në fund varet nga guvernatorët e shteteve. Mendoj që shumë guvernatorë duan që të hapen shkollat. Do të doja të ndodhë një gjë e tillë”, ka deklaruar Trump, duke shtuar se “fëmijët kanë sistem të fortë imunitar”.

“Ata nuk e bartin virusin aq lehtë tek të tjerët, kurse shumë thonë se në fakt ata fare nuk e bartin. Nuk e dërgojnë në shtëpi”, pretendon Trump.

Megjithatë tek 23 mijë të rinj nën moshën 18-vjeçare është konfirmuar coronavirusi në Florida.