U ftua për të dëshmuar kundër Mustafës, dëshmitari thotë se e njeh “së voni”

Salih Mustafën deri kohët e fundit nuk e ka njohur dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gjatë dëshmisë së tij disaorëshe, ai ka thënë se për një kohë të gjatë ka menduar që një “Cal” tjetër, siç është pseudonimi i të akuzuarit, kishte udhëhequr me njësinë BIA.

“Nuk e kam njohur më herët. Nuk më ka interesuar më herët, a po kupton?” – tha dëshmitari.

Ky dëshmitar të mërkurën është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e më shumë ka treguar për torturat e dy personave që pretendon se i ka parë gjatë mbajtjes nga UÇK-ja në Zllash sesa për përvojën personale. Specifikisht ka shpjeguar se si e kishte parë njërin nga të mbajturit.

“Ai nuk ishte në gjendje as të fliste, vetëm rënkonte. Kjo ka ndodhur herën e dytë para se me pru brenda në ahur, e kanë rrahur aq shumë se e kanë goditur 5-6 veta dhe pasi e kanë përfundu rrahjen e kanë pru tek ne, sa herë e kanë pru tek ne na kanë urdhëruar të themi, vdekje tradhtarëve, vdekje hajnave, lavdi UÇK-së”, tha dëshmitari.

Ai thotë se janë mbajtur në një ahur, por që kur ftoheshin për t’u marrë në pyetje, atëherë u vendosej nga një thes mbi kokë, për të mos parë rrugën nga shkonin.

“Kur ka fillu marrja në pyetje, na kanë marrë një nga një. Na kanë mbulu ftyrën. Kur kena shku aty, na e kanë hjek mbulesën prej ftyre edhe e kem pa që jemi në një vend tjetër ka qenë afër, ndoshta në kat të dytë”, tha dëshmitari.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është konfirmuar më 12 qershor 2020. Ai është personi i parë i akuzuar dhe që po gjykohet në Hagë.

Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte.