U plagos me bashkëshortin nga shpërthimi i bombolës së gazit/ Pas 13 ditëve, gruaja vdes në spital

13 ditë pasi u plagos nga shpërthimi i bombolës së gazit në banesë, ka ndërruar jetë në spital 42-vjeçarja Mimoza Selimi, e cila mbeti e plagosur me bashkëshortin e saj, Rexhep Selimi.

Gruaja ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe mori mjekim të specializuar në Tiranë, por nuk mundi t’i rezistojë plagëve, dhe pas 13 ditëve në agoni, ndërroi jetë këtë të martë.

Në momentin e shpërthimit në banesë ishin vetëm çifti, ndërsa banesa u përfshi e gjitha nga flakët.

Tre fëmijët e çiftit nuk ndodheshin në banesë pasi punojnë në Dhërmi dhe Greqi.

Djali i vogël i familjes pati një rrëfim për Report Tv kur ndodhi ngjarja, ku tha se nëna e tij dje kishte ndërruar bombolën e vjetër duke marrë një të re, të cilën dyshohet se nuk e kishte montuar mirë duke e lënë hapur dhe si pasojë ka pasur rrjedhje gjatë natës duke sjellë shpërthimin në mëngjes.

Fqinjët e çiftit Selimi treguan se  gjendja e tyre ishte shumë e vështirë ekonomikisht, prandaj i bënin thirrje shtetit që të vendosë dorë.