Drejtori i shëndetit publik në Gjibraltar: Të gjithë lojtarët e Prishtinës rezultuan negativë

Futbollistët e FC Prishtinës kanë rezultuar negativë për koronavirus në testet e kryera gjatë së martës dhe të shtunës në Laboratorin Universitar të Gjibraltarit, ka bërë të ditur Drejtori i Shëndetësisë Publike i këtij vendi.

Një gjë e tillë u bë e ditur pasi që klubi nga Kosova e humbi me rezultat zyrtar ndeshjen e vlefshme për kualifikimin në Ligën Evropiane me klubin lokal, Lincoln Red Imps, meqenëse tetë lojtarë të saj rezultuan pozitivë të shtunën në testet e kryera nga laboratori zyrtarizuar i UEFA-s për diagnostifikime “Synlab”.

Duke folur për portalin “GBC”, drejtori i Shëndetësisë Publike në Gjibraltar, Sohail Bhatti, ka thënë se diskrepanca mes rezultateve negative të Universitetit dhe atyre pozitive nga “Synlab”-i mund të shpjegohet me faktin se secili prej tyre operon ndryshe dhe kanë destinime të ndryshme.

“GBC”-ja ka mësuar se “Synlab”-i vetëm ka mbledhur mostrat në Gjibraltar, por se testet në fakt janë kryer në një laborator në Spanjë – mbase në Cadiz apo Fuengirola – se për rezultatet e tyre kërkohen mesatarisht 24 orë kohë.

Ai ka thënë se rezultatet e “Synlab”-it janë ato që merren parasysh nga UEFA për të përcaktuar nëse ndeshjet në kuadër të saj mund të zhvillohen në mënyrë të sigurt. UEFA nuk ua ka kërkuar autoriteteve të Gjilbraltarit rezultatet e tyre.

Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, testet e laboratorit universitar “kurrë nuk e gabojnë përqendrimin e lartë të virusit”, gjë kjo që, sipas tij, ishte me rëndësi domethënëse.

Gjithashtu rezultatet nuk përputhen as me ato të IKSHPK-së, para nisjes në Gjibraltar dhe pas kthimit nga atje.