UEFA dënon Rumaninë për banderolën kundër Kosovës

UEFA ka dënuar me 52 mijë euro gjobë dhe një ndeshje pa tifozë skuadrën kombëtare të futbollit të Rumanisë, për banerin që tifozët e tyre shpalosën në ndeshjen kundër Kosovës, e vlefshme për Euro 2024. “Kosova është Serbi” u shfaq në Bukuresht, me ndeshjen që u ndërpre në minutën e 18-të, për të vijuar pas 52 minutash.

Pas konsultimit mes dy federatave dhe UEFA-s, dueli vijoi me vonesë, aty ku Kosova humbi 2-0. Nëse Dardanët kërkonin dënim më të rëndë, UEFA ka dhënë verdiktin e saj nëpërmjet Komisionit të Disipinës.

1 mijë euro gjobë për çdo minutë ndërprerje të ndeshjes dhe sfida kundër Andorrës pa tifozë, kjo ishte gjoba në drejtim të federatës rumune. Megjithatë, rumunët do kenë në stadium vetëm fëmijë të shoqëruar nga vetëm një i rritur për çdo sektor të stadiumit.

Ndeshja Rumani 2-0 Kosovë, e luajtur të martën e kaluar, u ndërpre në minutën e 18-të dhe rifilloi gati një orë më vonë. Mbështetësit e Rumanisë shfaqën një mesazh me konotacione politike dhe vazhdimisht thërrisnin: “Kosova është Serbi”.

Veprimet e tyre lënduan lojtarët shqiptarë, të cilët u larguan nga fusha. Gjyqtari francez e pezulloi ndeshjen për “sjellje diskriminuese”, duke dërguar edhe lojtarët rumunë në dhomat e zhveshjes. Loja rifilloi pas 52 minutash, gjatë së cilës u hoq pankarta në tribunë.

Federata e Futbollit të Kosovës është e pakënaqur me dënimin e UEFA-s kundër Rumanisë, për banderolat dhe thirrjet “Kosova është Serbi” në ndeshjen e një jave më parë në Bukuresht, e vlefshme për Euro 2024. Për këtë dënim, nga Kosova kanë reaguar të pakënaqur.

“Federata e Futbollit e Kosovës shpreh pakënaqësinë e saj në lidhje me vendimin e organeve disiplinore të UEFA-s për të dënuar Federatën e Futbollit të Rumanisë me 50 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues”, njofton Federata.