Ugur Sahin: Vaksina e Pfizer/BioNTech për variantin e ri të COVID-19 mund të jetë gati për 6 javë

Kompania farmaceutike gjermane BioNTech thotë se mbetet ende e paqartë nëse vaksina aktuale do të jetë në gjendje të sigurojë mbrojtje ndaj variantit të ri të coronavirusit të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, mirëpo, “shkencërisht, ka shumë të ngjarë që përgjigja imune nga kjo vaksinë ka gjasa të arrihet edhe me variantet e reja”.

Sipas EuroNews, përcjell Telegrafi, Ugur Sahin, shefi ekzekutiv në BioNTech tha se duhet të bëhen studime të mëtejshme për t’u siguruar që vaksina aktuale funksionon kundër llojit të ri.

Sidoqoftë, nëse vaksina duhet të rregullohet, kompania mund ta bëjë këtë në rreth 6 javë, shtoi ai.

“Ne kemi besim të bazuar në shkencë se vaksina mund të na mbrojë, por ne do ta kuptojmë vetëm nëse kryhet eksperimenti, dhe do të na duhen dy javë për t’i marrë këto të dhëna, dhe natyrisht do t’i publikojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Sahin.

Në atë rast, rregullatorët mund të duhet të miratojnë përsëri ndryshimet përpara se të përdoren vaksinat.

Sidoqoftë, kompania është e bindur se vaksina e saj e miratuar së fundmi nga Agjencia Evropiane e Barnave, funksionon kundër variantit të ri në Mbretërinë e Bashkuar.

Sahin tha se proteinat në variantin e ri janë 99 për qind të njëjta me ato të llojeve ekzistuese, dhe për këtë arsye BioNTech shpreson se vaksina e saj do të jetë efektive.