Ukraina dyshon në zotimin e Rusisë për tërheqjen e trupave

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Ukrainës tha se zotimi i Rusisë për tërheqje është i dizajnuar për të mashtruar.

Në një postim në Facebook, Shtabi i Përgjithshëm tha se njësitë ruse po vazhdojnë të largohen nga Kievi dhe Çernihivi. Më 29 mars, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se do të zvogëlojë aktivitetin ushtarak në Kiev dhe Çernihiv dhe paraprakisht është deklaruar se do të fokusojë operacionet e saj në rajonin lindor të Donbasit.

Ushtria ukrainase tha se beson se tërheqjet “me gjasë janë një rotacion i njësive individuale” që synojnë të mashtrojnë udhëheqjen ushtarake të Ukrainës dhe të krijojnë një “ide të gabuar” lidhur me qëllimin e dislokimit të tyre.

Në postimin e Shtabit të Përgjithshëm po ashtu përmendet deklarata e zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby, i cili ka thënë se vazhdon të ketë kërcënim për Kievin pavarësisht lëvizjeve të forcave ruse, që po largohen nga qyteti.

Po ashtu, ushtria ukrainase tha se Rusia po vazhdon luftimet në afërsi të Donjeckut, që gjendet në lindje të Ukrainës.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “operacion special”. Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë. /Rel/