UNMIK një ditë para takimit Kurti – Vuçiq: Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për dialog të mirëfilltë

Përfaqësuesja e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, një ditë para takimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, ka bërë thirrje që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të mbajnë integritetin e procesit të dialogut.

Përmes një komunikate për media, Ziadeh ka thënë se duhet të promovohet një klimë e favorshme për dialog të mirëfilltë dhe palët të punojnë me mirëbesim në adresimin e çështjeve të pazgjidhura.

“Është tejet e rëndësishme që të promovohet një klimë e favorshme për dialog të mirfilltë. Palët duhet të punojnë me mirëbesim për të adresuar çështjet e pazgjidhura, duke kapitalizuar angazhimin e 11 viteve të fundit dhe duke siguruar që të ndërtohet mbi të arriturat me mund në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Ziadeh.

“Dialogu dhe kompromisi janë rruga e vetme e qëndrueshme drejt stabilitetit, prosperitetit dhe sigurisë për të gjithë”, deklaroi ajo.