Vazhdojnë ftesat nga Gjykata Speciale, Gucati tregon se a ka në mesin e tyre liderë politik

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së (OVL), Hysni Gucati, ka folur për GazetënBlic në lidhje me shpeshtimin e ftesave nga Gjykata Speciale në Hagë.

Gucati konfirmoi se ftesa nga Gjykata Speciale janë duke u bërë çdo ditë, madje sot një ftesë i është bërë një luftëtari të UÇK-së i cili është nga Zona Operative e Llapit, i cili do të dëshmoj në cilësinë e dëshmitarit.

“Është reale se ftesa priten me ardhë dhe janë duke ardhur çdo ditë, sot e ka marrë një ftesë një bashkëluftëtar i cili është nga Llapi, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, por emrin e tij nuk deshi ta bëj publik për shkak të privatësisë”, tha Gucati.

Gucati tha se ky luftëtar do të lajmërohet më 26 nëntor në Hagë.

“Ftesën e ka marrë sot, ndërsa me avokatët do të takohet të premten. Ai është nga Zona Operative e Llapit dhe jeton në Prishtinë, ndërsa me datë 26.11 do të shkoj të lajmërohet”, shtoi ai.

Gucati po ashtu ka komentuar disa lajme që kanë qarkulluar sot se ftesa nga Gjykata Speciale priten të marrin edhe disa liderë politik, por ai tha se nuk ka dijeni për një informatë të tillë edhe pse është takuar me disa prej liderëve por që askush nuk ka përmendur një gjë të tillë.

“Të jem i sinqertë nuk kam dëgjuar se dikush nga liderët do të marr ftesë, po të kisha dëgjuar gjitha mediet do të ju ftoj dhe do ju njoftoj, kam pas takime ta por nuk më ka thënë askush asgjë”, tha ai.