Vazhdon debati mes Zemajt dhe Avdylit: Ti don me qenë i vetmi specialist e me i marrë nga 10 mijë euro

Në raportimin e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, para Komisionit për Shëndetësi, ka vazhduar debati në mes ish-ministrit Armend Zemaj dhe Haxhi Avdylit.

Avdyli e ka kritikuar ish-ministrin Zemaj për keq menaxhim në rastin e angazhimit të specializantëve, duke thënë se nuk është dashur në mes të pandemisë të angazhohen 1500 specializantë.

“Në kohë të pandemisë të jepen 1500 specializime, këtë do ta shohim si problem pas 6 vjetëve dhe do ta shohim impaktin e këtyre specialistëve. Këta specializanta nuk do të kenë mundësi të specializohen sepse janë aq shumë sa nuk kanë dhoma për ta kryer specializimin”, ka thënë Avdyli, transmeton lajmi.net.

Pas kësaj ka reaguar Zemaj, i cili ka thënë se Haxhi Avdyli po keq informon publikun.

“Ti dëshiron me kriju monopol, ashtu e ke kriju për 6 vite, ti don me qenë vetëm ti mjek specialist e me i marrë nga 10 mijë euro, por kjo nuk do të ndodhë. Ti po dëshiron mjekët me shku jashtë, e ti me qenë pasha këtu”, ka thënë Zemaj.

Pas këtij debati ka reaguar edhe kryesuesja e Komisionit, Fatmire Mullhaxha-Kollcaku, e cila ka thënë se nuk është Komisioni për të debatuar mes anëtarëve, por të kërkojnë raportim nga ministri aktual, Arben Vitia.