Vazhdon gjykimi kundër Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bankën e të akuzuarve janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, raporton Klan Kosova.

Seanca pritet të nis në orën 09:00.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.