Vdekja e 24-vjeçarit nga Lipjani, ky është rrëfimi i dëshmitarit që gjeti telefonin e viktimës

Të shtunën e 12 tetorit ishte larguar nga shtëpia e tij në fshatin Gadime e Ulët e Lipjanit. 24-vjeçari Shqipdon Aliu kishte thënë se po shkon në Prishtinë për t’u takuar me dikë. Mirëpo, ai nuk kishte shkuar atje ku kishte thënë.

Familjarët e brengosur kishin lajmëruar zhdukjen e Shqipdonit pas dy ditësh, pasi nuk kishin arritur të kontaktonin me të në asnjë mënyrë.

Gjatë kohës kur Shqipdoni po konsiderohej i zhdukur, babai i tij i cili nuk ishte në dijeni për zhdukjen e djalit, vdiq nga sëmundja e rëndë të cilën e kishte.

E në këto rrethana, gjetja e Shqipdonit ishte bërë edhe më e domosdoshme për familjen.

Pas disa ditësh kërkime pa sukses, policia kishte kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për ta gjetur Shqipdonin.

Pas nëntë ditësh, Shqipdoni u gjet i vdekur në fshatin e tij të lindjes. Lajmin për gjetjen e tij e konfirmoi policia në mbrëmjen e së hënës.

“Me datën 21.10.2019 rreth orës 21:30, në fshatin Gadime e Ulët tè Lipjanit, saktësisht në një gropë (te gurthyesi i vjetër), është gjetur një trup i pajetë. Ekipet e nevojshme policore janë ne vendngjarje. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se bëhet fjalë për personin e raportuar të zhdukur me datën 14 tetor. Kanë qenë informacionet e qytetarëve ato që kanë ndihmuar policinë të gjejnë vendndodhjen e personit”, ka treguar Policia e Kosovës.

Ahmet Limani ishte personi që kishte rënë në gjurmë të Shqipdonit mbrëmjen e së hënës. Ai kishte gjetur telefonin e tij, një pako cigaresh dhe një shkrepës, në vendin ku më pas do të gjendej edhe trupi i pajetë i 24-vjeçarit.

Limani ka treguar për Express se si ka ndodhur e tërë ngjarja pas gjetjes së gjërave të cilat i përkisnin Shqipdonit.

“E kam gjetë një telefon, një pako cigaresh dhe një shkrepës. Telefoni ka qenë i ndalur, kur kam shku në shtëpi e kam mbushë me bateri dhe kur është ndezë në ekran ka dalë një fotografi e Shqipdonit. Familjarët më kanë thënë se personi që është në fotografi është duke u kërkuar. E kam telefonu dajën e tij, i kam thënë të vijë tek unë. E kemi telefonuar edhe policinë, bashkë me dajën dhe policinë kemi shku në vendin ku e kam gjetur telefonin dhe gjërat tjera, në afërsi të atij vendi policia e ka gjetë edhe trupin e pajetë të Shqipdonit”, ka thënë Limani.

Ndërkaq policia ka bërë të ditur se trupi i pajetë i Shqipdonit është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion, nga ku edhe do të mësohen rrethanat e vdekjes së 24-vjeçarit.