‘Vdekje e dyshimtë’: Një grua 40-vjeçe gjendet pa shenja jete tek Penda e Livoçit

Një grua 40-vjeçe është gjetur pa shenja jete sot te Penda e Livoçit në Gjilan. Rasti në polici është hapur si “vdekje e dyshimtë”, teksa prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në IML për obduksion.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se informata për këtë rast është pranuar sot në orën 14:47.

“Stacioni Policor në Gjilan sot me datën 23.10.2023 rreth orës 14:47 ka pranuar informacion përmes linjës 192 ku dyshohet se një femër kosovare shqiptare është vetëvrarë tek Penda e Livoqit. Njësitet policore i janë përgjigjur menjëherë thirrjes, është njoftuar edhe emergjenca e spitalit të Gjilanit dhe njësiti i zjarrfikëseve. Nga vendi i ngjarjes raportohet se sipas mjekut kujdestar viktima femër rreth 40 vjeçare është pa shenja jete. Në lidhje me rastin janë njoftuar njësite policore relevante të cilat janë duke i hetuar rrethanat e rastin në koordinim me prokurorin e shtetit. Trupi i pajetë është urdhëruar të dërgohet për obduksion dhe rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë””, tha Hashani për Gazetën Express.