Veliu “thumbon” Vjosa Osmanin: Nuk është mirë të jesh në një parti e të flirtosh me një tjetër

Lidhja Demokratike e Kosovës do të zgjedh sot kryetarin e ri.

Me këtë rast, kryetari i degës së Podujevës në LDK, Agim Veliu, ka thënë se procesi për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së po shkon mirë.

Ai ka thënë se nuk kanë biseduar për emra favoritë, por janë angazhuar që procesi të ketë rrjedhë normale.

Veliu nuk e ka lënë pa e përmendur edhe Vjosa Osmanin.

Ai ka thënë se nuk është korrekte të jesh në një parti politike dhe të flirtosh me një tjetër.

Veliu ka thënë tutje se si kryesi nuk beson që kanë bërë ndonjë gabim, dhe po të ktheheshin prapa sigurisht do të merrnin vendimet e njëjta.

“Ne si kryesi nuk besoj që kemi bërë gabime. Edhe një herë po të ktheheshim prapa sigurisht se do të merrnim ato vendime që kemi marrë. Ne kemi menduar që ato vendime janë në favor të LDK-së”, ka thënë ai për KlanKosova.

“Jemi angazhuar që ta mbrojmë shtëpinë tonë, LDK-në, dhe një numër prej nesh jemi angazhuar që të forcohet LDK-ja dhe të mos flirtojmë me subjekte të tjera politike. Nuk është korrekte të jesh në një subjekt politik dhe të flirtosh fshehtas me subjekte të tjera politike”, ka shtuar ai.