Vendet e punës në Gjermani, zyrtari i Odës Amerikane frikësohet se Kosova mund të zbrazet

Një prej fuqive më të mëdha ekonomike, Gjermania është duke u përballur me mungesë të madhe të fuqisë punëtore. Kjo ka bërë që shteti gjerman të ndryshojë edhe politikat e migrimit. Më 1 mars të vitit 2020 do të hyjë në fuqi një ligj i ri që hap mundësi të reja për punëmarrësit nga shtetet që nuk janë pjesë e BE’së e që kanë një kualifikim që pranohet në Gjermani të kërkojnë nisjen e një marrëdhënie pune në atje.

Duke qenë se Kosova ka një numër të madh të rinjve të papunë, Ambasada gjermane në Kosovë e ka parë madje të arsyeshme që të japë sqarime se si mund të shfrytëzojnë këtë ligj për të tentuar të gjejnë një vend pune në Gjermani.

E për gjithë këtë situatë ka ngritur shqetësime zyrtari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Ilir Ibrahimi. Sipas tij në Kosovë janë mijëra të papunë që po e presin këtë ligj të hyjë në fuqi e t’ia mësyjnë Gjermanisë.

Ibrahimi thotë se një lëvizje e madhe e popullsisë do të jetë tronditëse për ekonominë dhe shoqërinë në Kosovë.

“Ky lajm do të duhej të ishte fokusi kryesor i shoqërisë kosovare sot. Janë me mijëra e mijëra kosovarë që janë duke pritur për ti mbushur këto vende të lira pune në Gjermani. Efektin që do ta ketë kjo lëvizje e popullatës do të jetë tronditëse (thënë më së buti) për ekonominë dhe shoqërinë kosovare”, ka thënë Ibrahimi teksa ka komentuar një shkrim të DË rreth nevojës urgjente të Gjermanisë për punëtorë.

Tutje eksperti i çështjeve të ekonomisë thotë se askush s’po merret me këtë çështje, duke u fokusuar në atë se a po pinë kafe liderët e LDK’së dhe VV’së për koalicion.

“Kush po e trajton këtë dhe çfarë po bëhet në këtë drejtim? Fatkeqësisht e tërë shoqëria jonë po merret se a po pinë kafe Isa e Albini sot paradite a pasdite. Papërgjegjësi e pafalshme në çdo nivel”, ka përfunduar ai./GazetaExpress/