Vendimet e qeverisë për familjet e viktimave, trajtim financiar përjetë

Familjet që kanë patur viktima si pasojë e tërmetit do të hyjnë në shtëpitë e reja menjëherë. Këtë vendim e ka bërë publik sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Rama i cili shtoi se me këto familje duhet lidhur kontakti për t’i pyetur se ku duan të rrinë

“Të gjitha familjet e viktimave në Durrës, familja Broshka 4 anëtarë 1 viktimë, familja Gjana 8 anëtarë 1 viktimë, familja Lala 8 anëtarë, 7 viktima. Familja Meçja 5 anëtarë, 1 viktimë, etj. Të gjitha këto familje duhet të hyjnë në shtëpitë reja urgjent. I kemi gati mundësitë për ta. Duhet caktuar një person specifik në Durrës dhe një në Tiranë që do të bëjë kontaktin me ta për t’iu thënë se ku duan të rrinë. Viktimave të Thumanës, familjeve të Thumanës kemi gati t’u ofrojmë menjëherë apartamentin në Tiranë. Kemi gati 6 apartamente në Tiranë por ju lutem në një komunikim me ta për të parë se kush është dëshira e tyre. Ky akt i parë është akti i dorëzimit apartamenteve gjithë këtyre familjeve, duhet bërë në një kohë rekord.”

Një vendim tjetër që komunikoi kreu i qeverisë ishte se këto familje do të përfitojnë trajtim financiar për gjithë jetën ndrërsa të gjithë pensionistëve të familjeve të viktimave do tu akordohet pensioni i veçantë i Republikës së Shqipërisë.

“Trajtim të posaçëm financiar për familjet ku tërmeti ka marrë jetë. Trajtimi financiar do jetë për gjithë jetën. Dje kam shoqëruar Albert Carën i cili ende nuk di se i ka humbur të gjithë. Urojmë ta kapërcejë situatën e rëndë sepse është dëmtuar në shtyllën kurrizore dhe për këtë e kemi çuar për mjekim në një nga klinikat më të specializuara. Por të gjithë jemi të vetëdijshëm se si do jetë. Ashtu dhe për Lindita Carën që i ka humbur të gjithë”, tha Rama. Duke shtuar për pensionistët se “është një numër i kufizuar që varion në 12-15, kështu që këta njerëz do përfshihen në këtë kategori”.

Po kështu do të akordohen 1 milion lekë të reja për çdo familje që ka viktima dhe bursa për nxënësit e studentët.

“Po ashtu nxënësit që janë në familjet e viktimave për t’iu ardhur në ndihmë, do të marrin një bursë mujore prej 15 mijë lekësh të reja në muaj. Është 3-fishi i bursës së ekselentëve. Dhe këtë bursë do ta përfitojnë edhe studentët”, deklaroi kryeministri Edi Rama.