Vërehen parregullsi në procesin e konkursit për Drejtor Gjeneral të RTK-së

Më 7 shkurt u shpall konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, teksa më 25 shkurt u bë hapja të zarfëve të aplikuesve për këtë pozitë.

Sipas monitoruesve Albana Murseli dhe Adriana Morina, edhe në këtë proces pati parregullsi.

Ato kanë evidentuar mosprezencë fizike të aplikuesit gjatë dorëzimit të aplikacionit, si dhe vendimi për zgjatjen e afatit për tri ditë shtesë për plotësim të dokumenteve për aplikuesit.

Sipas tyre, të dy këto shkelje janë mjaft qartë të ndaluara, në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.

Neni 5 paragrafi 1 dhe nën paragrafët 8 dhe 9, percaktojnë të dy këto rregulla të cilat janë shkelur.

“Në anën tjetër, Udhëzimi Administrativ Nr. 07/2017 për Rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik në nenin 5 paragrafi 1 nën paragrafët 8 dhe 9 përcaktohet se;

Konkursi publik i brendshëm përmban:

1.8 “mënyrën se si merret dhe si dorëzohet formulari i aplikacionit; dhe

1.9 “aplikacionet e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk pranohen, ndërsa aplikacionet e mangëta refuzohen”.

Nga të gjitha përcaktimet më lart, është e qartë që emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së duhet të bëhet duke u bazuar në Ligj dhe sipas procedurave që konkursi publik që parasheh, përfshirë këtu edhe mënyrën si merret dhe si dorëzohet formulari i aplikacionit, çfarë ndodhë me aplikacionet e dorëzuara pas afatit si dhe me aplikacionet e mangëta” thuhet në raportin e monitoruesve.

Ndërkohë, parregullsi është vërejtur edhe në procesin e  vlerësimit në testin me shkrim.

Sipas Adriana Morinës, tre nga anëtarët e Bordit, në vlerësimin e kandidatëve, kanë qëndruar me afër njëri-tjetrit dhe më larg anëtarëve të tjerë të Bordit.

Si rezultat i kësaj distance, Morina ka vërejtur se të tre i kishin dhënë pikë identike për secilën përgjigje njërit nga kandidatëve për pozitën e Drejtorit.