Veriu në alarm e i bllokuar, Kurti shkruan një status të gjatë për “Manifesta 14”

Serbët lokalë në veri të vendit kanë bllokuar sot me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimi kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Ky vendim nga serbët u morë gjatë kohës kur në veri të Mitrovicës është aktivizuar alarmi.

Lidhur me zhvillimet e fundit në veri nga KFOR-i kanë deklaruar se janë duke e monitoruar situatën dhe se po mbledhin çdo informacion të nevojshëm.

Por ndryshe nga KFOR-i që është deklaruar lidhur me këto zhvillime, kryeministri i vendit, Albin Kurti, zgjodhi që të merret me diçka tjetër.

Ai para pak minutave ka publikuar një status në Facebook, në të cilin flet për festivalet e zhvilluara së fundi në Kosovë, në mesin e tyre edhe “Manifesta”.

Kurti shkroi lidhur me publikimet e mediave britanike, se si Kosova pas 20 vjetëve nga lufta po bëhet lidere rajonale në art bashkëkohor.

Postimi i plotë:

“The Economist” britanik tregon si Kosova mbi 20 vjet pas luftës po bëhet lidere rajonale në art bashkëkohor, “Le Monde” francez i jep jehonë kërkesës për liberalizim të vizave, “A*DESK” spanjoll flet për shtetin dhe kryeqytetin më të ri europian.

Këto nuk janë vetëm shkëputje nga shkrimet e ditëve të fundit për Kosovën të mediave prestigjioze, por edhe arsye të prekshme pse investimi në art është përherë ide e mirë. Ide e mirë sepse kthimi është i madh dhe i qëndrueshëm, si në reputacion e diplomaci, ashtu edhe në ekonomi, arsimim e mirëqenie.

Manifesta 14 Prishtina ka nisur para dhjetë ditësh, mbeten edhe 90 ditë deri në fund. Efektet e para janë tejet pozitive, si në promovimin e shtetit tonë përmes shkrimeve në mediat botërore, ashtu edhe në numrin e vizitorëve në 25 lokacionet e bienales. Në ditët e parahapjes dhe hapjes Manifesta priti 6500 vizitorë, ndërsa në javën e parë nga hapja rreth 10 mijë vizitorë.

Kosova ka artistë të nivelit botëror dhe institucione kulturore që organizojnë ngjarje botërore. Manifesta 14 në Prishtinë është një hap i madh në agjendën tonë artistike ndërkombëtare. Sa moment për të festuar bashkë këtë arritje, aq edhe mundësi për të synuar edhe më shumë viteve në vijim.

Prandaj, si qeveri po investojmë shumë në kulturë, duke zhvilluar politika të qëndrueshme. Sepse kjo është mënyra e duhur për ta çuar tutje potencialin e komunitetit tonë artistik, si dhe falënderimi ynë për punën dhe angazhimin e tyre jo rrallë herë të nënvlerësuar.

Në vitin kur kemi nisur konceptimin dhe themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, Manifesta po na ofron mundësi të shkëlqyer për t’u lidhur edhe më fuqishëm me botën. Por, nuk mund të ishim më krenarë se me faktin që 40 nga artistët pjesëmarrës në këtë edicion janë nga Kosova. Shumë më shumë se në cilindo edicion të Manifestas nga vitet e 90-ta.

Pa dyshim, Hedëig Fijen bashkë me ekipin po bëjnë punë të mrekullueshme. Plot njerëz janë angazhuar ndër vite që Manifesta të ketë këtë shkëlqim. Ky është sukses i përbashkët i yni. Ndërkaq Manifesta sapo ka filluar, dhe do të jetë këtu deri në fund të tetorit.

Arti është lidhja jonë e fuqishme me botën.