Veseli i reagon deputetit të Listës Serbe: Nuk do ta lejojmë askënd të hyjë pa leje në Kosovë

Deputeti i Listës Serbe, Sasha Milosavljeviq, ka kërkuar përgjegjësi për ndërhyrjen e policisë në veri dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, pasi sipas tij, ka pasur rrahje të ministrave, deputetëve e tjerëve.
“Janë rrahur ministrat tanë, deputetët, delegatët, kryetarët, them se nuk kanë pasur shkas, të gjithë në atë takim kemi qenë ulur dhe kemi biseduar për paqe, kjo është turp. Është fatkeqësi që nga ju dikush të na thërras të na pyes çka jemi duke bërë. Kërkojmë që në përgjegjësi të thirrën dhe të japin dorëheqje, ministri i brendshëm dhe drejtori i policisë. Ndërsa, kryerësit që kanë bërë dhunë duhet të dënohen. Në fund dëshiroj të them se Lista Serbe nga sot është në opozitë dhe dëshirojmë të shohim se kush është opozitë nga deputetët e pranishëm”, tha Milosavljeviq.
Ndaj fjalës së tij ka reaguar  kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke i thënë se është turp të hyjë dikush pa leje në Kosovë dhe duhet të keni kujdes në shprehje.
“Fjalorin duhet me pas kujdes. Turp është me hy pa leje në Kosovë dhe duhet ta dijë secili që pa leje nuk do ta lejojmë. Ankesat të cilat janë,merrni përsipër,  por turp është  të hyjë secili pa leje në Kosovë dhe të mos marrë përgjegjësi askush. Kështu që ai është turpi më i madh dhe askush nuk do të tolerohet që të hyjë në Kosovë si të donë dhe të sillet si të donë. Ky është shtet i pavarur dhe sovran dhe kështu do të sillemi deri në fund”, tha Veseli.