Vështirësia ime është të heq dorë nga…

Ish deputetja Grida Duma e cila disa javë më parë la mandatin për t’iu futur televizionit ka treguar momentin e parë kur mori vendimin dhe eksperiencën në daljen e para në ekran si moderatore.

Duma u shpreh në emisionin “Goca dhe Gra” se lëvizja ishte shumë e vështirë sepse në politikë shikohesh si individ ndërkohë që media kërkon tjetër lloj menaxhimin. Ajo tregoi edhe vështirësinë më të madhe, që të heqë dorë nga mbajtja e qëndrimeve.

“Nuk do të bëhem ndonjëherë plotësisht kolege në media por trendi i ri mund të thuhet me pak mungesë modestie e kemi krijuar nga politika në media. Por është një gjë që ndodh. Ndodhi gjithçka shumë shpejt, në mes të javës bëra deklaratën e lënies së mandatit dhe të hënën kam hyrë në emision. Lëvizja ishte e vështirë sepse në politikë shikohesh si një individ i cili duhet të qëndrosh me lidership të fortë duhet ët japësh qëndrime goditëse. Media kërkon tjetër lloj menaxhimi e argumentimi dhe vështirësia ime është që duhet të heq dorë nga mbajtja e qëndrimeve. Është bërë e personalizuar hapësira e komunikimit virtual. Këtë gjë e ka pësuar edhe politika, dëgjohet më shumë kush se sa çfarë.

Është shumë e bukur kur njerëz që e njohin komunikimin e thonë që më shkon. Media më ka ardhur rrotull në vite por vendimi për të shkuar në media ishte totalisht i imi. Aty bëhet shumë politikë, ndonjëherë edhe më shumë se në parlament. Logjika e kimisë është se unë dua të njëjtin debat që do të kisha bërë vetë.”-u shpreh Grida Duma.