Veteranët i bëjnë thirrje deputetëve të mos e votojnë projektligjin që ia pamundëson rritjen e pensioneve

Nesër Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare ku në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ky projektligj po konsiderohet se ia pamundëson rritjen e pensoneve veteranëve në bazë të pagës minimale.

Faton Klinaku nga kjo organizatë, ka thënë se Qeveria po e shkel Kushtetutën me këtë veprim, transmeton Fokusi.info.

“Të nderuar deputetë, nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës, si pikë 5 e rendit të ditës është paraparë që të diskutohet rreth pagës minimale, ku me anë të projektligjit, tentohet që të ndryshohen ligje që t’i heqin veteranët e luftës nga rritja e pagës minimale. Kjo qeveri mashtruese, duhet ta ketë parasysh se me këtë po bën edhe shkelje kushtetuese”, është shprehur Klinaku.

Ai i ka bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë këtë projektligj, ndërsa ka paralajmëruar edhe protesta.

“Prandaj, deputetë të nderuar, ju bëj thirrje që mos t’iu përdor Albin Kurti si mashë e kundër vlerave të lirisë, dhe ta keni parasysh se kjo gjë do të kundërshtohet me protesta nga ana jonë”, ka shkruar kreu i OVL-së së UÇK-së./Fokusi.info/