Veteranët paralajmërojnë kundërshti në rast se nuk përfshihen në rritjen e pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale.

Por, ende nuk dihet nëse në pagën e re do të përfshihen edhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në OVL- të UÇK-së, paralajmërojnë kundërshti, ndërsa në ministrinë e Financave nuk janë deklaruar ende për këtë çështje.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, thotë për Indeksonline se Qeveria nuk mund të ndryshoj ligjin pa i ftuar ata në konsultim.

Klinaku nuk ka treguar format se si do të kundërshtohet, mospërfshirja e veteranëve në pagën e re minimale.

“Do të vendosin organet drejtuese për me kundërshtu. Ai nuk mundet me ndryshu ligj pa na ftuar neve. Organet drejtuese do të vendosin se çfarë kundërshtimi do ta bëjmë”, ka thënë Klinaku.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar ditë më parë se Qeveria ka propozuar që paga minimale të jetë 264 euro.

Mirëpo, ky propozim nuk ka kaluar në takimin e Këshillit Ekonomik Social.

Klinaku edhe përmes një statusi në facebook e paralajmëroi një gjë të tillë, transmeton Fokusi.info.

Statusi i plotë:

Në ligjin për ndryshimin e ligjit bazik, me numër: 05/L-141, thuhet:

3.1. Deri ne kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik. E, ai kategorizim as që ka filluar qe 4 vite, por edhe nuk mund të filloj tani, për shkak se dosjet janë në Prokurori, e lënda në Gjykatë.

Prandaj, të mos bëhen çdo herë temë veteranët, të cilëve me ligjin 04/L – 261, që është i vetmi në fuqi, iu rritet pensioni krahas pagës minimale.

Nëse kjo qeveri mendon se duhet të anashkalohen kategoritë e luftës së UÇK-së, veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve, ku pa ta nuk do të ishin krijuar as institucionet, nuk do të kishim as parlament e as qeveri… Pra, kur janë në pyetje këto kategori të mos të bëhen pazare e të mos bien në nivele të ulëta, që pa pëlqimin tonë, pa qenë pjesë e secilit ndryshim ligji për to, sepse për ne do të jetë e papranueshme dhe do të kundërshtohet.

Ne nuk jemi të kënaqur me qasjen e kësaj qeverie që ia bën kategorive të dala nga lufta, e nëse ndodhë që të mos ketë ngritje të “pensioneve”, ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, sepse veç jemi duke punuar në terren, dhe organet tona drejtuese do të vendosin për çdo kundërshtim.