Vetëvendosje: Z-mobile duhet të ndalohet me ligj

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kompanisë Devolli dhe kërcënimet siç i kanë quajtur ata të pronarëve të saj për vazhdimin e kontratës me Telekomin.

Deputeti Glauk Konjufca ka thënë se shumë shpejt do e sjellin në Kuvend një ligj i cili e ka një pikë specifike ndalimin e operatorëve virtualë mobilë në Kosovë.

Pra Konjufa tha se Z-mobile duhet të ndalohet me ligj. Gjithashtu Vetëvendosje do të thërras seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për PTK-në.

“Prej korrikut të 2018 është në fuqi rezoluta që Qeveria duhet të tërhiqet nga marrëveshja me kompaninë Z -mobile, kjo rezolutë është shpërfillur nga Qeveria dhe siç duket është e gatshme që të vazhdojë këtë kontratë e cila është e dëmshme”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij edhe Prokuroria është vonuar qëllimisht dhe nuk ka hetuar këtë kontratë.

“Mënyra si është mbrojtur çështja në arbitrazh lë shumë për të dëshiruar”, ka deklaruar Konjufca, i cili ka shtuar se qëllimisht institucionet janë duke e lënë që Telekomi të falimentojë.

Vetëvendosja ka thënë se e mbështet sindikatën e PTK-së e cila kërkon që të mos vazhdohet kontrata me Z-mobile.