Vetëvritet Gjergji Mullalli, i cili vrau bashkëshorten e tij me armë zjarri

Pas kërkimeve të autoriteteve policore nga mbrëmja e djeshme, është bërë i mundur lokalizimi i Gjergji Mullallit, i cili vrau të shtunën e 29 korrikut bashkëshorten e tij me armë zjarri.

55-vjeçari ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë, sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar.

“Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi”, vëren Policia.

Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t’u dorëzuar, Mullalli është vetëvrarë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje”.

Kujtojmë që ngjarja e rëndë u regjistrua në fshatin Zëmblak, Maliq.

Mullalli akuzohej për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Autoritetet bënë me dije se pas hetimeve të kryera, dyshohet se Gjergji Mullalli e vrau për motive të dobëta me armë zjarri shtetasen L. M., 46 vjeçe, të cilën më pas e hodhi në një gropë septike, pranë banesës së saj.