Vijojnë përplasjet ushtarake Turqi-Greqi në Mesdheun Lindor

Turqia duket e vendosur të vazhdojë kërkimet e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, pavarësisht kërcënimeve për sanksione nga Bashkimi Europian. Presidenti Taip Erdogan thotë se Turqia është në rrugën e duhur dhe do t’i mbrojë me të gjitha mjetet të drejtat e saj.

As sanksionet e paralajmëruara nga Bashkimi Europian dhe as dislokimi i ushtrisë franceze në rajonin e Mesdheut Lindor nuk e kanë zmbrapsur Turqinë nga nisma e saj e kërkimit të gazit dhe naftës në det. Presidenti Rexhep Taip Erdogan paralajmëroi se “sanksionet dhe kërcënimet” nuk do ta zmbrapsin Turqinë nga zbulimi i gazit në Mesdheun Lindor.

“Për këtë çështje, vendi ynë ka të drejtë dhe ne do t’i mbrojmë të drejtat tona me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion. Nuk do të tërhiqemi për shkak të sanksioneve dhe kërcënimeve”, tha Erdogan.

Analistët thonë se në të vërtetë kreu turk është i interesuar të përmirësojë rezultatin e tij elektoral, pas humbjes fatale të zgjedhjeve të fundit vendore.

Tensionet në Mesdheun Lindor u rritën që kur u zbuluan rezerva të mëdha të gazit vite më parë. Ankaraja dërgoi javën e kaluar një anije hulumtuese të shoqëruar me anije ushtarake në një rajon të cilin Greqia e konsideron territor të saj.

Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së u takuan me urgjencë të premten dhe shprehën solidaritet të plotë me Greqinë, ndërsa bënë thirrje për uljen e tensionit. Qeveria greke i kërkoi BE-së masa konkrete kundër Turqisë, ndërsa disa vende europiane me Gjermaninë në krye refuzojnë sanksionet dhe sugjerojnë dialogun mes palëve.

Franca ndërkohë e rriti të enjten praninë e saj ushtarake në rajon në shenjë mbështetjeje për Greqinë. Marrëdhëniet mes Parisit dhe Ankarasë  janë tendosur gjithashtu kohët e fundit.

Benzinë zjarrit i hodhi marrëveshja greko-egjiptiane për caktimin e kufijve detarë, çka e nxiti Turqinë të dërgojë për herë të dytë në një rajon pranë Kretës dhe Qipros anijen e saj vrojtuese, që i paraprin operacioneve për zbulimin e gazit./oranews