Visar Ymeri: PSD do të shndërrohet në “zërin politik” të interesave të punëtorëve

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate,Visar Ymeri, ka folur rreth kërkesës së dorëzuar për interpelancë ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ku objekt i kësaj interpelance është paga minimale në Kosovës.
Ymeri thotë se niveli i pagës minimale është ndër treguesit kryesorë për mirëqenien e një vendi dhe se kjo pagë nuk përmbush nevojat bazike për jetë, ndërsa sipas tij i lë punëtorët në “pragun e varfërisë”.
“Të hënën  në emër të PSD-së kam dorëzuar kërkesën për Interpelancë ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ku objekti i Interpelancës është paga minimale në Republikën e Kosovës.
“PSD angazhohet për një pagë minimale që i garanton secilit përmbushjen e nevojave bazike për jetë. Niveli aktual prej 130 (për të punësuarit deri në 35 vjeç), respektivisht 170 eurosh, është larg prej arritjes së këtij synimi”.
Ymeri ka thënë se do të bashkëpunojnë edhe me sindikatat e punëtorëve në mënyrë që t’i plotësojnë kërkesat e tyre dhe si rrjedhojë sipas tij PSD-ja do të mundohet t’i përkrahë kërkesat dhe interesat e punëtorëve.
“Paga minimale është pragu nën të cilën nuk mund të paguhet askush. Niveli i saj është ndër treguesit kryesorë për mirëqenien e një vendi. Aty ku paga minimale është e ulët, niveli i shfrytëzimit të punëtorëve është i lartë”.