Vitia: Menjëherë nisim vaksinimin – vazhdon zbatimi i masave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ardhja e një kontingjenti me vaksina kundër COVID-19 nënkupton nisjen e një rrugëtimi të ri të Kosovës kundër pandemisë.

Vitia bëri të ditur se menjëherë do të nisë vaksinimi kundër COVID-19 teksa bëri të ditur se prioritet ka personeli shëndetësorë.

“Sonte jemi së bashku në një moment të shumëpritur, arritja e vaksinave të para të vaksinave në Kosovë shënon një rrugë të re në luftën kundër COVID-19”.

“Kanë kaluar më shumë se një vit që nga paraqitja e rasteve të para. Nuk kemi kohë për të humbur prandaj do të fillojmë menjëherë me dozat e para në Kliniken Infektive në QKUK. Por, vend për çlirim dhe relaksim nuk ka”.

“Edhe pse vaksinimi po fillon nuk do të thotë se pandemisë po i vjen fundi. Ne jemi në një fillim të ri por duhet të zbatojmë masat”, tha Vitia.

“Ditët, javët dhe muajt në vazhdim ajo që na ndihmon të dalim nga kjo gjendje është respektimi i masave për vete dhe të tjerët”

Ministri i Shëndetësisë ka thënë se ka biseduar me shtetet mike për t’i siguruar edhe dozat e tjera të vaksinës, duke shprehur falënderim ndaj tyre për përkrahje në këtë luftë.