Vitia për vdekjen e 35-vjeçares nga Malisheva: Ky rast nuk do të kalojë në heshtje dhe as nuk do të tretet në harresë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është shprehur i tronditur dhe i pikëlluar nga vdekja e 35-vjeçares në Malishevës, gjendja e se cilës është komplikuar pas heqjes së dhëmbit.

Vitia ka thënë se ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandesheshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit.

Ai tutje është shprehur se ka kërkuar që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit.

“Jemi të gjithë të tronditur dhe të pikëlluar nga vdekja e gruas 35 vjeçare në Malishevë teksa priste të mjekohej. Ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit. Kam kërkuar me gjithë fuqinë që më jep ligji që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit. Dhe çdo procedurë. Ndaj përgjegjësve, do të ketë masa.” – ka shkruar Vitia.

Ai tutje ka thënë se ky rast nuk do të kalojë as në heshtje dhe as nuk do të tretet në harresë.

“Në rast të evidentimit të shkeljeve penale ato do të procedohen menjëherë në organet e drejtësisë. Ky rast nuk do të kalojë as në heshtje dhe as nuk do të tretet në harresë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes që humbi më të dashurën e tyre.” – ka përfunduar ministri Vitia.