Vjedhja në Thesar: Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj liron nga detyra këshilltaren e saj

Hajrije Gashi është liruar nga pozita e këshilltares së zëvendëskryeministres Albulena Balaj-Halimaj.

Ajo është shkarkuar sot për shkak se ndonëse jo vet, por njëri prind i saj ka qenë i përfshirë në skandalin e vjedhjes së dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit dhe transferimi i tyre në llogarinë e një operatori ekonomik, transmeton Klan Kosova.

“Pas raportimeve në media se prindi i këshilltares sime Hajrie Gashi është i përfshirë në vjedhjen e mbi 2 milion eurove, kam marrë vendim që znj Hajrie Gashi, me efekt të menjëhershëm, t’a liroj nga detyra e këshilltares. Znj. Hajrie që nga fillimi ka qenë ndër këshilltaret e përkushtuara jashtë mase dhe me sukses ka kryer të gjitha detyrat e ngarkuara nga unë!”, është shprehur Balaj-Halimaj përmes Facebook.

“Edhe pse jam e vetëdijshme që askush nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e familjarëve të tij, në këtë rast të saj, për shkak që kemi të bëjmë me një krim shumë të rëndë, lirimin e saj nga detyra e shoh si të domosdoshëm. Këtë vendim e kam marrë për të hequr çdo dyshim para qytetarëve se funksioni i lartë i këshilltares do të mund të përdorej për pengim të drejtësisë!”.