Vjen përgjigja e BE-së pas kërkesës së Ukrainës për anëtarësim

Bashkimi Europian dëshiron që Ukraina të bëhet sa më shpejt që është e mundur shtet anëtar, pas kërkesës për anëtarësim.

Këtë e ka konfirmuar komisioneri Maros Sefcovic pas një takimi të ministrave gjatë së premtes.

“Është koha që bëhet e ditur se populli ukrainas është popull europian dhe i duam ata në bllok sa më parë që është e mundur”, tha ai.

Megjithatë, Sefcovic ka thënë se BE aktualisht do të fokusohet në masa afat shkurta që lidhen me luftën Rusi-Ukrainë.

“Mendoj që më e rëndësishmja tani është që të ndihmohet Ukraina në luftë”, tha ai.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i bëri thirrje BE-së për “aderimin e menjëhershëm” të Ukrainës në bllok, përcjell Demokracia.com.

Zelenskyy theksoi se Ukraina meriton të jetë anëtare e BE-së. Kërkesa vjen pas hyrjes së Rusisë në Ukrainë që të pushtojë vendin, në një luftë që nisi rreth një javë më parë.

Lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e dytë, me disa qytete kyçe të bombarduara nga raketat ruse ndërsa një kolonë lëviz ngadalë drejt kryeqytetit.

Mbi një milion ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, por për ata që nuk mund të largohen nga Kievi, jeta ka vazhduar. Parlamenti ukrainas të premten ka thënë se 390 foshnja kanë lindur në Kiev në 8 ditët e fundit, 199 djem dhe 191 vajza.