Vjen reagimi i SBASHK-ut pas kushtit që vendosi ministria lidhur me ekzekutimin e pagave

Ministria e Financave sot ka njoftuar se do të procedojë me ekzekutimin e pagave me mësimdhënësit, por me një kusht.

Ministria planifikon t’i japë rrogat si “paradhënie” për orët e humbura gjatë grevës, që thotë se duhet t’i zëvendësojnë mësuesit.

Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati kërkon listat e mësimdhënësve, për t’i paguar, por duke ua rikujtuar “obligimin” për kompensimin e orëve.

Lidhur me këtë kërkesë, të Ministrisë së Financave për Front Online kanë folur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Ahmet Pllana, Anëtari i Këshillit Drejtues të SBAShK-ut, ka thënë për Front Online se tashmë kjo është përgjegjësi e komunave, duke shtuar se të njëjtat janë dërguar më 10 shtator.

Sipas tij, me këtë Ministria e Financave po i kushtëzon këto të fundit për ekzekutim të pagave.

“Është obligim i komunave, nëse komunat dëshirojnë prapë t’i dërgojnë të njëjtat lista vendosin ata. Kjo është një kërkesë ku po kushtëzohen nga Ministria e Financave, ku kryesisht tash obligimet e komunave i ka kryer dhe i ka dërguar listat me vulë dhe me nënshkrime, vetëm Qeveria është dashtë të bëjë ekzekutimin e pagave qysh e ka bërë për administratën ashtu të bëjnë edhe për mësimdhënësit dhe mos të thellohet edhe më shumë gjendja në mes të mësimdhënësve dhe Qeverisë”, ka thënë Pllana, për Front Online.

Kurse, sa i përket zëvendësimit të orëve të humbura në shtator, ai ka deklaruar se me këtë po cënohen të drejtat e fëmijëve.

“Sa i përket zëvendësimit të orëve mësimore janë cenuar të drejtat e fëmijëve, për arsye se po ua humb atyre fundjavën, po ua humb pushimin dimëror, pushimin pranveror, po zgjatet vitit shkollor”, është shprehur Pllana.

Ndërsa, duke folur për përpilimin e kalendarit të ri shkollor, Pllana ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagvacin se e ka përpiluar në mënyrë të njëanshme, duke i përjashtuar akterët kryesorë.

“Nëse mësimdhënësit e bëjnë zëvendësimin e orëve do të bëhet ekzekutimi i pagave, mirëpo ky kalendari i ri i cili është punuar kryesisht nga ministrja e Arsimit e ka bërë në mënyrë të një ashme për arsye se nuk kanë marrë pjesë akterët kryesorë në përpilimin e tij. Akterë kryesor është SBAShK-u, po ashtu janë komunat apo drejtoritë e arsimit në nivel të Kosovës, u dashtë të merret edhe një mendim i prindërve dhe në fund të arrihet ajo çka duhet me u bë”, ka shtuar ai.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka hyrë në grevë që nga 25 gushti.

Greva është pezulluar nga 3 tetori deri në janar të vitit të ardhshëm.

Qeveria e Kosovës, ka ekzekutuar pagat për të gjithë punonjësit e sektorit publik për muajin shtator pse të njëjtit ishin në grevë, përpos për mësimdhënësit.