Vjen reagimi nga Shqipëria, pasi Putin tha se mercenarë nga Kosova e Shqipëria po luftojnë në Ukrainë

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhacka ka reaguar pas deklaratave të presidentit rus, Vladimir Putin i cili tha se mercenarë nga Shqipëria, Kosova e Kroacia kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë.

Xhacka përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se kjo është një gënjeshtër që Moska po vazhdon ta përsërisë.

“Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës”, tha ajo.

Postimi i plotë:

Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Zoti i bekoftë ata.