Von der Leyen: Mos bëni rezervime për pushime këtë vit!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen këshilloi të mos bëheshin rezervime për pushime për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.

“Këshilloj të presim për plane të tilla. Askush nuk mund të bëjë parashikime për korrikun apo gushtin për momentin”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild am Sonntag”, duke iu referuar udhëtimeve në Europë.

Ajo shprehu skepticizmin e saj përsa i përket vendimit të qeverisë federale, sipas të cilit klientët duhet të marrin vetëm një kupon në vend të rimbursimit të parave të tyre të shpenzuara për udhëtimet që nuk mund t’i kryejnë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Në të gjithë Europën, njerëzit kanë zgjedhje ligjore nëse dëshirojnë paratë apo një kupon”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian duke u kërkuar klientëve që nuk kanë nevoja financiare të heqin dorë nga kjo e drejtë.

“Nëse kjo është financiarisht e mundur, ju nuk duhet të këmbënglni për kthimin e parave”, theksoi von der Leyen, por të ndihmoni me kupona që agjencitë e udhëtimeve të mund të përballojnë këto javë të vështira.

Presidentja e Komisionit Europian paralajmëroi gjithashtu se kontaktet e personave të moshuar në Europë me mjedisin e tyre duhet të mbeten të kufizuara të paktën deri në fund të vitit për shkak të epidemisë së koronavirusit./atsh