Votoi Bamir Topi, bëri edhe një thirrje për politikanët

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, votoi sot në KZAZ e ngritur në shkollën “Sami Frashëri”.

Ai i bëri thirrje politikanëve të kenë një reflektim të thellë që e ka sjellë situatën në këtë ditë për të cilën askush nuk është i lumtur.

“Është një ditë që nuk bën askënd të lumtur. Nuk mund të ketë kurrsesi triumfatorë në përfundim të këtyre votimeve dhe kur cdo politikan qofshin ato me eksperiencë ose jo, pas votimeve sonte duhet të bëjnë një meditim të thellë. Nuk kam parasysh ritualin e ushtrimit të kultit por një reflektim qytetar për atë që kanë dhe përse e kanë sjellë demokracinë në këtë nivel, që është standardi më i ulët.

“Duke nisur nga dita e nesërme, qofshin fitimtarë apo ata që kanë bojkotur ti thërrasin mendjes për të ardhur në një proces tjetër atij të reformimit të sistemit politik që është rrëzuar më 21 prill 2008. Flas me këtë forcë sepse një javë para 21 prillit jam deklaruar fort e kam parashikuar dhe i kam bërë të qarta se ku do të vinim”.

“Ka qenë një mesazh i fortë i partnerëve tanë SHBA që duhet kuptuar qartë. Politika e tyre është e institucioneve dhe jo e emocioneve. E konsideroj një orientim shumë të qartë për të krijuar një ditë ndoshta stabiliteti brenda atij instabiliteti që ka politika shqiptare”.

“Skema politike ka nevojë të riformatohet dhe kurrsesi Shqipëria nuk mund të kthehet në monizëm. Në mënyrë absolute. Mospjesëmarrja imponon zgjidhje të sforcuara. Nuk besoj se edhe ata që e ndjejnë veten të fuqishëm politikisht ndihen rehat sot. Unë dua të kthehem 11 vite më përpara dhe të akuzoj fort Ramën dhe Berishën që kanë sjellë këtë gjëndjen katastrofale”, tha ai.