Vrasja e dyfishtë në Durrës, gjendet e djegur makina e autorëve

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur minutat e fundit në qytetin e Durrësit, në lagjen nr.14 Shkozet, në zonën e “Nishtullës”.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se ka patur përplasje me armë zjarri mes disa personave.

Të dhënat paraprake raportojnë se nga përplasja ka mbetur i vdekur Anxhelo Avdia dhe Dorjan Shkoza, të dy banorë të Nishtullës.

Siç raporton gazetari i ABC News Leonidha Musaj, mësohet se në këtë përplasje me armë zjarri janë përfshirë disa persona.

Dyshohet se motivi i vrasjes ka qenë përfshirja e tyre në trafik droge.

ABC News ka mësuar se Dorjan Shkoza ka qenë i dënuar më parë me 8 vite burg për trafik droge.

Në njoftimin e saj policia thotë se dyshohet se viktimat janë qëlluar nga një automjet në lëvizje, por se ajo ka arritur të identifikojë targat e makinës dhe ndërkohë është vënë në ndjekje të autorëve.

Ndërkohë është gjetur një makinë që dyshohet se është e autorëve të cilët kryen vrasjen mbrëmjen e sotme në Shkozet të Durrësit.

Automjeti është gjendur i djegur në rrugën dytësore, që hyn në qytetin e Rrogozhinës, në zonën që quhet “Bishti i Zhurit”.

Dyshohet se targat e makinës që kanë përdorur autorët për vrasjen e dy të rinjëve në Durrës, janë të vjedhura.

Sakaq policia ka dhënë dhe informacion paraprak:

“Më datë 02.03.2020, rreth orës 18:55, në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës, në rrugën afër tregut të perimeve, në rrethana akoma të paqarta kanë humbur jetën shtetasit D. Sh, 35 vjeç dhe A. A, dyshohet me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbrritur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor.

Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona në një perimetër të gjerë.

Pika kontrolli janë ngritur edhe nga DVP Tiranë e Fier në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnjë.

Në mbështetje të Policisë vendore janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës.

Paraprakisht dyshohet se është qëlluar nga një automjet në lëvizje. Shërbimet e Policisë kanë mundur të identifikojnë targat dhe janë vënë në ndjekje të autorëve

Për zbardhjen e ngjarjes, në ndihmë të grupit hetimor po shkojnë specialistët e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje, duke grumbulluar dhe fiksuar çdo provë sado të vlefshme që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes.”/abcnews.al