‘A po ju vjen marre a jo’: Olluri reagon pas punësimit të motrës dhe vajzës së axhës së Liburn Aliut tek Arben Vitia

Gazetari Parim Olluri, ka reaguar pas raportimit të Metros në lidhje me punësimin e motrës dhe vajzës së axhës së Liburn Aliut në Odën e Farmacistëve të Kosovës, ku vendimin për punësimin e tyre e mori ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Gjatë ditës së sotme, Gazeta Metro ka raportuar për një nepotizëm të radhës nga ana e Qeverisë Kurti.

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka punësuar në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, motrën Suljota Aliu dhe vajzën e axhës, Nita Kelmendi – Hysa.

Pra motra e Liburn Aliut, Sulojta është deleguar në cilësinë e anëtares së Këshillit Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës.

Në cilësinë e anëtareve të Këshillit Mbikëqyrës të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë ka deleguar Nita Kelmendi – Hysa.

Pas këtij raportimi ka reaguar gazetari Parim Olluri, me anë të një shkrimi në Facebook.

Ai i ka pyetur Qeverinë se po ju vjen marre, derisa ka kërkuar që të ndalet avazi për shkatërrimin e institucioneve.

“I keni fituar mbi 50 perqind te votave me deklaraten e Albinit “Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është për te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”. Kjo deklarate duket se do te marre epitetin si “Rrena ma e madhe e dekades”, ka shkruar Olluri.