Vritet pronari i një lokali në Lushnje, plagoset edhe i biri

Tronditet Lushnja. Një 62-vjeçar është vrarë me kallashnikov ndërsa i plagosur ka mbetur edhe i biri.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:47, në fshatin Fier i Ri në Lushnje. Mësohet se Sofokli Shani, banues në fshatin Krutje e Sipërme qëlloi me automatik në lokalin e tyre Rako Qorrin, 62 vjeç dhe të birin, Kejdi Qorrin, 31 vjeç.

Raportohet se ka dyshime që autori dhe viktimat të jenë zënë si fillim në lokal dhe më pas ky i fundit ka qëlluar ndaj tyre me breshëri automatiku.

Po ashtu mësohet se djali pas ngjarjes u transportua në spitalin e Lushnjës, dhe më pas në Tiranë, pasi ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Deri më tani nuk dihen arsyet e ngjarjes në fjalë, ndërkohë që autori u arrestua pak pas krimit. Ky i fundit njihej nga banorët e zonës si një burrë i qetë, ndërsa është baba i tre fëmijëve emigrantë.

Policia po heton në lidhje me ngjarjen e rëndë.