Vuçiq Kuvendit të Serbisë: Nuk mund t’ju flas detajisht për planin për Kosovën

Aleksandar Vuçiq gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Serbisë ka thënë se nuk dëshiron ta zbulojë planin e tij për Kosovën duke nxjerrë harta. 

Gjatë një seance të gjatë dje në Parlamentin e Serbisë ku është diskutuar tema e Kosovës, Aleksandar Vuçiq, ka bërë me dije se e ka në agjendë ndryshimin e kufijve. Këtë ai e ka zbuluar teksa i është përgjigjur politikanit liberal serb, Çedomir Jovanoviq, i cili në fjalimin e tij ka thënë se shqiptarët e Kosovës kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre dhe se Serbia duhet të bëjë paqe me shqiptarët.

E kur Jovanoviq e ka pyetur Vuçiqin se pse nuk po shpalos ndonjë plan dhe se çka po fsheh prej serbëve, presidenti i Serbisë ka thënë se nuk dëshiron të nxjerrë detaje të planit të tij. Ai ka thënë se nuk dëshiron të nxjerrë harta duke lënë të kuptohet se e ka në plan ndryshimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk ka kuptim të flas deri në detaje, kam mundur sot t’i nxjerr të gjitha planet, të gjitha hartat, të flas për secilin fshat por këtë nuk guxoj ta bëj sepse nuk vendosim vetëm ne, vendos edhe pala tjetër, por vendosin edhe më shumë ata që po e nxisin palën tjetër (Kosovën), në krejt atë për çka i kanë nxitur deri më tani”, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe në seancën e djeshme e cila ka vazhduar, Vuçiq ka diskutuar edhe me babanë e tij politik, Vojislav Seselj, i cili ndër të tjera e ka pyetur Vuçiqin pse nuk ka ushtarë kinezë e rusë në Kosovë si aleatë të Serbisë.

Vuçiq ka thënë se nuk e di pse ushtarët rusë janë tërhequr nga Kosova por i ka premtuar mentorit të tij se për këtë do ta pyesë edhe Vladimir Putinin presidentin e Rusisë.

Ndryshe, Vuçiq gjatë seancës ka folur edhe për refuzimet perëndimore për ndarjen e Kosovës. Ai, po ashtu, ka debatuar gjatë edhe rreth qëndrimit të Kishës Serbe rreth kësaj teme, duke pohuar se nuk është përplasur me priftërinjtë serbë rreth kësaj teme.