VV ia ofroi 6 mijë euro RTK-së për t’ia transmetuar debatin e Kurtit e Osmanit

Lëvizja Vetëvendosje ia ka ofruar 6 mijë euro Radio Televizionit të Kosovës për ta transmetuar sonte debatin ndërmjet liderit të kësaj partie Albin Kurtit dhe numrit 2 në listën e VV-së, Vjosa Osmanit.

Burime të lajmi.net kanë mësuar se LVV i ka ofruar RTK-së 6 mijë euro në formë pagese për reklamim që sonte ta transmetojë debatin ndërmjet Kurtit e Osmanit, shkruan lajmi.net.

Debati i Kurtit e Osmanit që përballë do të kenë dy analistë Astrit Gashin e Armand Shkullaku pasi analistë të tjerë janë refuzuar nga dyshja Osmani-Kurti ka qenë tema më e përfolur gjatë ditës së sotme.

Mediet raportuan edhe për kërkesat që LVV ka adresuar në drejtim të tyre për ta transmetuar këtë debat, e madje njëra prej tyre ishte edhe RTK-ja të cilës iu kërkua “prime-time”, e debatit zgjedhor.

Sonte, Kurti e Osmani do të kenë përballë analistët e zgjedhur nga vet ata, pasi refuzuan analistët e propozuar nga televizionet përkatëse të cilave iu kërkuan hapësirë transmetimi.