“Xheva ka pasur njohuri për të gjitha armët”, Vëllai: Sot ajo e Fehmiu nuk nderohen sa duhet

Vëllai i dëshmores së kombit, Xhevë Lladrovci – Krasniqi, Selimi në një rrëfim ekskluziv ka folur për shkathtësitë ushtarake të motrës së tij.

“Xheva ka poseduar kallashnikov, por ka ditur që t’i përdor të gjitha llojet e armëve, ka marrë pjesë në aksione të ndryshme me armë të ndryshme. Xheva është marrur shumë me organizimin dhe trajnimin e shumë vajzave e grave në rajonin e Drenicës. Për fat të keq, në ditën kur ka rënë Xheva e Fehmiu unë nuk kam qenë aty, pasi kemi operuar në zona të ndryshme. Ne kemi qenë duke u furnizuar me armë në Shqipëri, kur ata të dy kanë rënë, ka qenë lajmi më i rëndë që kemi marrur, për të gjithë ne bashkëluftëtarët e tyre ka qenë një lajm shumë i keq.”

22 shtatori i vitit 1999, ishte një ditë sa dhimbje e aq krenari për familjen e luftëtares së UÇK-së, për çka sot, Selim Krasniqi thotë se vepra e heroizmi i heronjve pak nderohet në ditët e sotme.

“Dhimbje ka pasur shumë në familjen tonë kur kanë rënë Xheva e Fehmiu, por ka qenë edhe një krenari e madhe. Xheva e Fehmiu nuk janë dallu nga ushtarët, në orët e hershme të mëngjesit ata bënin roje së bashku me ushtarët e tyre. Për mua si vëlla e një heroine, është shumë e vështirë se si të sillem, e që të mos keqpërdoret lufta e gjaku i dëshmorëve. Borxh e kemi pasur atëherë e borxh e kemi tash për këtë vend, që kemi kontribu, Xheva e Fehmiu kanë qenë në gjendje të bëjnë gjithçka për vendin e tyre. Por sot për fat të keq nuk nderohen sa duhen ata dy, duhet bërë më shumë për ta, ndonjë organizim më i mirë për ta do të ishte më mirë për të gjithë ne”, ka rrëfyer Krasniqi në emisionin Frontal në T7.