Zbardhet vrasja e Fadil Memës, kush është killeri i huaj që vrau ish-policin dhe shqiptari që organizoi gjithçka

Dosja hetimore që identifikoi autorin e vrasjes së biznesmenit Ilir Rexhepi, i ekzekutuar në 30 dhjetor të vitit 2011 në Elbasan ka zbuluar edhe organizatorin dhe autorin e vrasjes së Fadil Memës në Torino të Italisë në vitin 2015. Në dokumentin e siguruar nga gazetari Artan Hoxha, prokuroria thekson se organizatori i vrasjes së Fadil Memës në Itali ishte Anastas Collaku.

Në herën e parë Collaku dështoi për ta vrarë duke e lënë të plagosur, ndërsa më pas i mori jetën në 2015. Collaku organizoi vrasjen së bashku me një gjermano-grek, Dimitri Pavlidis, i cili qëlloi duke lënë të vdekur Memën, ndërsa Sajmir Serjani dogji makinën. Pas vrasjes Collaku dhe gjermano-greku, Dimitri Pavlidis u zhdukën në Gjermani.

Çfarë thuhet në dosje?

Në dosjen e prokurorisë theksohet se “Anastas Collaku ka qenë gjithmonë ndërmjetës i grupit kriminal, pra familjes në Elbasan dhe organizator i disa vrasjeve dhe atentateve për llogari të tyre. Anastas Collaku ka organizuar dhe ka marrë pjesë në vitin 2009 në Torino në atentatin ku mbeti i plagosur ish-efektivi i policisë Fadil Mema.

Në këtë rast Anastasi atentator mori kushëririn e tij Xhonin. Në 2015 Collaku organizon vrasjen e Fadil Memës në Torino, ku mori pjesë si atentator një gjermano-grek, Dimitri Pavlidis me bashkëpunëtor Anastas Collaku dhe Sajmir Serjanin, i cili ka ndihmuar në informacione dhe ka djegur makinën e përdorur në vrasje në zonën e Astit në Itali.

Më pas Dimitris Pavlidis dhe Anastas Collaku ikën në Gjermani”, thuhet në dosjen hetimore. Prokuroria vijon hetimet për të zbuluar se për llogari të kujt e ekzekutoi Collaku, ish-efektivin e policisë në Elbasan Fadil Mema.

Përplasjet në Elbasan

26 Dhjetor 2005 vritet Sokol Çapja
28 Maj 2006 vritet Ardian Ibrahimi
15 Gusht 2012 vritet Gentian Beqiraj
15 Gusht 2012 vritet Nezir Beqiraj
14 Mars 2015 vritet Fadil Mema
03 Shkurt 2016 vritet Eno Badelli
03 Shkurt 2016 vritet Ardit Sinakolli
03 Shkurt 2016 vritet Agron Çapja Marrë nga ABC