Zbulohet edhe një rast i dhunimit, arrestohet 23-vjeçari nga Gjakova pasi kreu marrëdhënie seksuale me një të mitur

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie.

Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në një motel në Ferizaj, ku viktimë është një e mitur, tashmë është arrestuar një 23-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i arrestauri F.M., dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vazjë të mitur në një motel, para disa ditësh, për çka kishin nisur hetimet pasi Policia e zbuloi rastin.

Sinjali mëson se pasi ishte iniciuar rasti me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari ishte identifikuar ndërsa tek sot është arrestuar dhe ndaluar. I dyshuari dhe viktima, sipas informacioneve që posedon Sinjali janë nga Gjakova, prandaj ky rast po hetohet nga Hetimet Rajonale atje.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin para hetuesve policorë dhe ka rrëfyer se si përfundoi në motel me vajzën e mitur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Ndërsa brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore pritet që të bëjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën kompetente.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.